Lajme

Maturantët e gjimnazit “Partizani” në Tiranë e kryen ceremoninë e diplomimit në shkollën e tyre të re, e cila është ringritur më e madhe dhe më e fortë se godina e mëparshme.

 

Të pranishëm në këtë ceremoni të veçantë, ishin kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ministrja e Arsimit, Evis Kushi.

Gjatë fjalës së saj, ministrja Kushi theksoi faktin se gjimnazi i ri “Partizani” ofron tanimë kushte moderne dhe ambiente ku, jo vetëm nuk do ketë më nevojë për mësim me dy turne, por shkolla do i shërbejë edhe komunitetit të zonës përreth.

“Për ju ka qenë një vit i vështirë sepse gjatë kohës që shkolla rikonstruktohej, ju është dashur ta zhvilloni procesin mësimor në një shkollë tjetër pritëse. Ju ia keni dalë me shumë sukses, sepse i kam parë edhe rezultatet e Maturës Shtetërore të këtij viti dhe rezultatet tuaja janë shumë të kënaqshme. Sot dua të falenderoj Bashkinë e Tiranës që e mbajti premtimin dhe ceremoninë e diplomimit po e zhvilloni në këtë oborr, përpara kësaj shkolle, që sot është me standardet më të mira bashkëkohore. Këtu, më në fund, nuk do të ketë më mësim me dy turne, sepse kemi shumë hapësira shtesë, kemi klasa shtesë, kemi më shumë laboratorë, kemi një bibliotekë shumë të mirë, kemi një palestër, e cila shërben edhe si një qendër multifunksionale,” tha ministrja Kushi.

Edhe përmes një statusi në Facebook, Kushi siguroi gjimnazistët se shtatori do ti gjejë në një shkollë të re dhe më të madhe

Statusi i ministres:

Urimet më të përzemërta ❤️ maturantëve të sapodiplomuar 🎓 të gjimnazit “Partizani” në Tiranë!

Në shtator 🏫 shkolla e re, më e madhe, më e bukur, më e fortë dhe me standardet më të mira bashkëkohore do të jetë gati për 750 nxënësit 👩‍💻👨‍💻dhe mësuesit 👩‍🏫🧑‍🏫 e saj, por njëkohësisht do të shërbejë edhe si qendër komunitare për të gjithë banorët e zonës.